Pse të Aplikoni?

Shkolla është një mjet informimi rreth çështjeve të BE-së nga profesionistë me përvojë të cilët punojnë në fushën e integrimit europian. Shkolla është një mundësi e shkëlqyeshme për të fuqizuar përgatitjen tuaj profesionale dhe për ta pasuruar atë me komponentët e BE-së. Profesionistë nga organizata të ndryshme do të jenë koleg tuaj, prandaj, ju do ti nënshtroheni një ambienti të këndshëm me pjesëmarrës me përgatitje akademike dhe profesionale të ndryshme duke u kyçur në diskutime dhe një dialog aktiv. Si pjesëmarrës ju do të keni mundësi që për së afërmi të bashkëveproni me ligjërues dhe profesionistë. Në fund të shkollës pritet që të keni përfituar një njohuri gjithëpërfshirëse të Bashkimit Europian: Zhvillimin Historik, Kornizën Ligjore të Bashkimit Europian, Politikat dhe Proceset në BE, Rolin dhe fuqinë e BE-së arenën ndërkombëtare dhe Perspektivën e Kosovës për Integrim Europian.

  • Sa kushton?
  • Kush mund të aplikojë?
  • Si të Aplikoni?
  • Përzgjedhja
  • Certifkata
  • Pse të Aplikoni

Info të shkurta

Ligjëratë e Hapur: Fati i liberalizimit të vizave dhe i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë


“Raportet e Kosovës me BE-në në rrethanat e reja: Fati i liberalizimit të vizave dhe i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, është tema e ligjëratës së hapur nga z. Agustin Palokaj që do të mbahet nga Shkolla për Integrim Europian.

Ky aktivitet, i cili do të zhvillohet më 18 prill 2017, do të trajtojë disa prej temave më të mprehta që lidhen me zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare që prekin Kosovën.
-    Çfarë pritet për liberalizimin e vizave për Kosovën?
-    Cilat janë sfidat me të cilat po përballet sot Bashkimi Europian?
-    Si ndikojnë ato në dialogun Kosovë-Serbi dhe më tej, në situatën e ngarkuar në Ballkan?
-    Si ndikon situata në BE posaçërisht për rastin e Kosovës, sa i takon liberalizimit të vizave dhe procesit të integrimit?

Këto dhe pyetje të tjera me rëndësi do të trajtohen në mënyrë konkrete dhe të drejtpërdrejtë në ligjëratën e hapur mbi sfidat nëpër të cilat po kalon liberalizimi i vizave dhe procesi i integrimit europian të Kosovës.

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ofron këtë mundësi për informim të thelluar ndaj këtyre çështjeve të ndjeshme përmes Shkollës për Integrim Europian.

Ndër pika të tjera me peshë aktuale do të diskutohen:

  • Ndikimi i Brexit dhe i sfidave të tjera në BE, dhe në angazhimin e saj në Ballkan
  • Qasja dhe vullneti real në BE për heqjen e vizave ndaj Kosovës
  • Ngërçi në zbatimin e marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
  • Sfidat në zbatimin e MSA-së dhe çfarë pritet pas saj


Për shkak të vendeve të kufizuara, të interesuarit inkurajohen fuqimisht që të regjistrohen sa më parë. Përparësi do t’u jepet atyre që shprehin të parët interesimin për pjesëmarrje. Për t’u regjistruar, ju lutemi që informatat e kërkuara më poshtë t’i dërgoni te [email protected] deri me datë 14 prill, ora 18:00.
Emri dhe Mbiemri    Organizata    Pozita        E-mail


Jetëshkrim përmbledhës i Agustin Palokaj


Korrespondent nga Brukseli për “Koha Ditore” dhe “Jutarnji list”

Augustin Palokaj punon si korrespondent politik në Bruksel që nga viti 1998. Ai është korrespondent i gazetës së përditshme kosovare “Koha Ditore”, televizionit KTV dhe i të përditshmes kroate “Jutarnji list”. Në analizat dhe shkrimet e tij, ai kryesisht merret me politikën e jashtme dhe atë të sigurisë të BE-së, çështjet e zgjerimit dhe lidhjet në mes të BE-së dhe shteteve nga Ballkani Perëndimor.

Augustin Palokaj u lind në Kosovë më 1969. Ai përfundoi shkollën e mesme në Gjimnazin e Pejës. Që nga viti 1990 jeton në Kroaci. Z. Palokaj ka të përfunduar magjistraturën për Gazetari në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Zagrebit. Z. Palokaj punon si gazetar profesional që nga viti 1993. Ai filloi karrierën e tij si korrespodent në luftën e Kroacisë dhe Bosnje Hercegovinës për të përjavshmen “Koha” dhe rrjetin botëror BBC (seksionin shqiptar dhe kroat).

Ai ka shkruar dhe për IWPR, Radio “Europa e Lirë”, “Vecernji list” dhe shumë botues të tjerë. Artikujt e tij janë publikuar në disa gazeta pjesë të Grupit Medial WAZ në Gjermani, Hungari, Bullgari dhe Rumani.
Z. Palokaj punoi për dy vjet si profesor asistent në Fakultetin e Shkencave Politike në Zagreb. Z. Palokaj ka marrë pjesë si panelist dhe folës në shumë konferenca në Europë e gjetiu. Ai është shpërblyer si gazetari i vitit në Kosovë më 2002 dhe Gazetari më i mirë i medias së shkruar në Kroaci më 2005. Që nga viti 2005 ai është ligjërues i rregullt në Shkollën për Integrim Europian.

Vërejtje: Përfaqësuesit e mediave dhe gazetarët inkurajohen të marrin pjesë në këtë ligjëratë. Megjithatë, ky aktivitet nuk është i hapur për mbulesë mediale.