Diplomohen pjesëmarrësit e Shkollës për Integrim Europian

U diplomua sot gjenerata e 22-të e Shkollës për Integrim Europian. 23 të diplomuarit u përfshinë në katër punëtori mbi njohuri dhe dinamikat kyçe të rrugëtimit të Kosovës në proceset europiane.

Në kuadër të punëtorive të mbajtura, pjesëmarrësit u njohën nga afër me Bashkimin Europian, historikun e zhvillimit, strukturat dhe vendimmarrjen, si dhe institucionet dhe perspektivën e BE-së drejt së ardhmes.

Gjithashtu, u trajtuan parimet e së drejtës së BE-së dhe raporti i saj me atë të shteteve anëtare, duke përfshirë shembuj të vendimeve nga jurisprudenca e Gjykatës Europiane të Drejtësisë, me fokus të veçantë në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Zhvillime dhe sfida aktuale për Kosovën në përpjekjet e saj të afrimit me Bashkimin Europian ishin pjesë e punëtorive, duke përfshirë edhe çështje si Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit apo liberalizimi i vizave.

Tetë ligjërues, akademikë dhe ekspertë të çështjeve të ndryshme të BE-së, punuan aktivisht me pjesëmarrësit në përcjelljen e njohurive konkrete për zyrtarë të administratës publike, anëtarë të shoqërisë civile, përfaqësues të medias dhe të sferave të tjera.

Deri më sot, 1080 pjesëmarrës janë diplomuar nga Shkolla për Integrim Europian përmes programit të saj të larmishëm dhe dinamik, i cili është fryt i partneriteteve dhe bashkëpunimeve të rëndësishme përgjatë 12 vitesh.

Qëllimi kryesor i Shkollës është përgatitja dhe aftësimi i profesionistëve dhe veprimtarëve me ndikim në sfidat e Kosovës në rrugëtimin e saj europian.

Ky qëllim është arritur në masë të madhe duke ngritur nivelin e njohurisë dhe vetëdijes ndër pjesëmarrësit në çështjet dhe politikat europiane, rrjedhimisht duke i mundësuar që njohuritë e fituara t’i transferojnë dhe përdorin në punën e tyre.

Flasin të diplomuarit:

Pjesëmarrësit në edicionin e 22-të të Shkollës thonë se kjo është një mundësi që do t’i ndihmojë ata të japin më mirë kontributin e tyre në rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Europian, dhe nga e cila duhet të përfitojnë edhe gjeneratat e ardhshme.

Arjeta Pllana, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal
“Programi i Shkollës për Integrim Europian më mundësoi të jem pjesë e ligjëratave nga profesorë universitarë dhe njohës të proceseve integruese, qëllimi i së cilëve ishte bartja te ne e njohurive rreth Integrimit dhe Bashkimit Europian.”

Valentina Bejtullahu Turjaka, OSBE
“Shkolla për Integrim Europian paraqet një institucion ku ofrohet mundësia për t’u informuar në mënyrë të detajuar për atë se çka është Bashkimi Europian dhe cilat janë fushat dhe sfidat rreth të cilave duhet të punojnë institucionet e Kosovës. Të gjithë atyre, që me përgjegjësitë e tyre profesionale mund të kontribuojnë në integrimin e Kosovës në Bashkimin Europian, ju rekomandoj që të jenë pjesë e kësaj shkolle.”

Elvinë Sefiu, Tribuna Media Group
“Shkolla për Integrime Evropiane është mundësia më e mirë që mund t’i ofrohet çfarëdo profesionisti, dhe t’i shërbejë në marrjen e njohurive mbi mënyrën e funksionimit të Bashkimit Evropian. Kjo shkollë me shumë kujdes duket se ka përzgjedhur edhe ligjëruesit, përmes të cilëve është e pashmangshme në fund të sesioneve të mos marrësh informacione të reja për funksionimin politik, ekonomik, social dhe të tjera fusha të BE-së.”

Rexhep Arifi, Drejtoria Komunale e Arsimit, Gjilan
“Njohuritë dhe përvojat që kam marrë nga Shkolla për Integrim Europian do të më shërbejnë për të transmetuar njohuri të reja tek nxënësit e mi në lëndën e historisë dhe edukatës qytetare, e në të ardhmen nëse më jepet mundësia këto përvoja me shumë dëshirë do të i promovoja edhe tek një shtresë më e gjerë e shoqërisë, për të ndihmuar Kosovën në procesin e integrimeve europiane.”

 

Info të shkurta

Ligjëratë e Hapur: Fati i liberalizimit të vizave dhe i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë


“Raportet e Kosovës me BE-në në rrethanat e reja: Fati i liberalizimit të vizave dhe i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, është tema e ligjëratës së hapur nga z. Agustin Palokaj që do të mbahet nga Shkolla për Integrim Europian.

Ky aktivitet, i cili do të zhvillohet më 18 prill 2017, do të trajtojë disa prej temave më të mprehta që lidhen me zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare që prekin Kosovën.
-    Çfarë pritet për liberalizimin e vizave për Kosovën?
-    Cilat janë sfidat me të cilat po përballet sot Bashkimi Europian?
-    Si ndikojnë ato në dialogun Kosovë-Serbi dhe më tej, në situatën e ngarkuar në Ballkan?
-    Si ndikon situata në BE posaçërisht për rastin e Kosovës, sa i takon liberalizimit të vizave dhe procesit të integrimit?

Këto dhe pyetje të tjera me rëndësi do të trajtohen në mënyrë konkrete dhe të drejtpërdrejtë në ligjëratën e hapur mbi sfidat nëpër të cilat po kalon liberalizimi i vizave dhe procesi i integrimit europian të Kosovës.

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ofron këtë mundësi për informim të thelluar ndaj këtyre çështjeve të ndjeshme përmes Shkollës për Integrim Europian.

Ndër pika të tjera me peshë aktuale do të diskutohen:

  • Ndikimi i Brexit dhe i sfidave të tjera në BE, dhe në angazhimin e saj në Ballkan
  • Qasja dhe vullneti real në BE për heqjen e vizave ndaj Kosovës
  • Ngërçi në zbatimin e marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
  • Sfidat në zbatimin e MSA-së dhe çfarë pritet pas saj


Për shkak të vendeve të kufizuara, të interesuarit inkurajohen fuqimisht që të regjistrohen sa më parë. Përparësi do t’u jepet atyre që shprehin të parët interesimin për pjesëmarrje. Për t’u regjistruar, ju lutemi që informatat e kërkuara më poshtë t’i dërgoni te [email protected] deri me datë 14 prill, ora 18:00.
Emri dhe Mbiemri    Organizata    Pozita        E-mail


Jetëshkrim përmbledhës i Agustin Palokaj


Korrespondent nga Brukseli për “Koha Ditore” dhe “Jutarnji list”

Augustin Palokaj punon si korrespondent politik në Bruksel që nga viti 1998. Ai është korrespondent i gazetës së përditshme kosovare “Koha Ditore”, televizionit KTV dhe i të përditshmes kroate “Jutarnji list”. Në analizat dhe shkrimet e tij, ai kryesisht merret me politikën e jashtme dhe atë të sigurisë të BE-së, çështjet e zgjerimit dhe lidhjet në mes të BE-së dhe shteteve nga Ballkani Perëndimor.

Augustin Palokaj u lind në Kosovë më 1969. Ai përfundoi shkollën e mesme në Gjimnazin e Pejës. Që nga viti 1990 jeton në Kroaci. Z. Palokaj ka të përfunduar magjistraturën për Gazetari në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Zagrebit. Z. Palokaj punon si gazetar profesional që nga viti 1993. Ai filloi karrierën e tij si korrespodent në luftën e Kroacisë dhe Bosnje Hercegovinës për të përjavshmen “Koha” dhe rrjetin botëror BBC (seksionin shqiptar dhe kroat).

Ai ka shkruar dhe për IWPR, Radio “Europa e Lirë”, “Vecernji list” dhe shumë botues të tjerë. Artikujt e tij janë publikuar në disa gazeta pjesë të Grupit Medial WAZ në Gjermani, Hungari, Bullgari dhe Rumani.
Z. Palokaj punoi për dy vjet si profesor asistent në Fakultetin e Shkencave Politike në Zagreb. Z. Palokaj ka marrë pjesë si panelist dhe folës në shumë konferenca në Europë e gjetiu. Ai është shpërblyer si gazetari i vitit në Kosovë më 2002 dhe Gazetari më i mirë i medias së shkruar në Kroaci më 2005. Që nga viti 2005 ai është ligjërues i rregullt në Shkollën për Integrim Europian.

Vërejtje: Përfaqësuesit e mediave dhe gazetarët inkurajohen të marrin pjesë në këtë ligjëratë. Megjithatë, ky aktivitet nuk është i hapur për mbulesë mediale.