“Raportet e Kosovës me BE-në në rrethanat e reja: Fati i liberalizimit të vizave dhe i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”

“Raportet e Kosovës me BE-në në rrethanat e reja: Fati i liberalizimit të vizave dhe i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë” ishte tema që u trajtua në ligjeratën e hapur të Shkollës për Integrim Europian.

Në vazhdën e aktiviteteve të organizuara në kuadër të SHIE-së, njohësi i shquar i fushës, gazetari korrespondent nga Brukseli për Kosovë dhe Kroaci, Augustin Palokaj, solli perspektivën e tij nga kryeqendra e BE-së. Palokaj, ligjërues i rregullt i Shkollës që nga fillimet e saj, foli për zhvillimet e fundit në Kosovë drejt ecjes përpara në agjendën europiane. Ilustruar me përvojat e shteteve fqinje, Palokaj theksoi rëndësinë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. U trajtua edhe çështja e liberalizimit të vizave, si një proces i ndarë nga ai i integrimit të Kosovës në BE.

“Marrëdhëniet Kosovë-BE” u shtjelluan tutje edhe në punëtorinë e katërt të Shkollës për Integrim Europian. U fol për politikat e zgjerimit të Bashkimit Europian, fazat e zgjerimit dhe hapat deri te anëtarësimi, ilustruar me shembuj konkretë nga zhvillimet e fundit. Procesi i Stabilizim-Asociimit (PSA) për Ballkanin Perëndimor dhe Dialogu i PSA-së për Kosovë, strukturat dhe mekanizmat e integrimit europian të ndërtuara në Kosovë pas hyrjes në fuqi të MSA-së, komunikimi i BE-së në këtë aspekt, ishin temat me të cilat vijoi kjo punëtori.

 

Info të shkurta

Thirrje për Aplikim në Shkollën për Integrim Europian

Shkolla për Integrim Europian shpall fazën e aplikimeve për pjesëmarrje në edicionin e 23 të saj, i cili do të mbahet gjatë periudhës tetor-dhjetor 2017. Përmes 4 punëtorive nga ligjërues me ekspertizë të lartë në çështjet e integrimit europian, kandidatët e përzgjedhur do të marrin dije thelbësore dhe funksionale.

Çfarë është Shkolla për Integrim Europian?

Shkolla për Integrim Europian (www.shkollaeuropiane.org) është një projekt i nisur në vitin 2005 nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS dhe i zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile – KCSF. Shkolla ofron një program të veçantë të ngritjes së njohurive mbi historikun, institucionet, kornizën ligjore, politikat kyçe në BE, si dhe perspektivën e integrimit europian të rajonit, me fokus në marrëdhëniet Kosovë-BE. Qëllimi kryesor i Shkollës është përgatitja e kuadrove rreth sfidave të integrimit europian.

Arritjet e Shkollës
Deri më sot, 1080 pjesëmarrës janë diplomuar nga Shkolla për Integrim Europian përmes programit të saj të larmishëm dhe dinamik. Gjatë këtyre viteve, pjesëmarrës nga sektorë të ndryshëm si administrata publike, shoqëria civile, mediat, bizneset, organizatat e ndryshme profesionale dhe zyrat ndërkombëtare në Kosovë, janë aftësuar që njohuritë e fituara t’i transferojnë dhe përdorin në punën e tyre.

Programi
Shkolla do të ofrojë modulin me 4 punëtori për një grup prej 20 të përzgjedhurve në temat:

1.    Institucionet dhe vendimmarrja në Bashkimin Europian, 16-17 tetor 2017
2.    Korniza ligjore e Bashkimit Europian: acquis communautaire, 25-26 tetor 2017
3.    Politikat kyçe të Bashkimit Europian, 8-9 nëntor 2017
4.    Kosova dhe Bashkimi Europian, 30 nëntor 2017


Të gjitha punëtoritë do të mbahen në Prishtinë dhe përgjatë gjithë ditës. Pas përfundimit të 4 punëtorive, pjesëmarrësit do t’i nënshtrohen testit vlerësues dhe kandidatët e suksesshëm do të pajisen me certifikatë.

Kush mund të aplikojë?
Të drejtë aplikimi kanë të gjithë qytetarët e moshës madhore që veprojnë në Kosovë dhe që janë në marrëdhënie pune. Përparësi në përzgjedhje do të kenë kandidatët të cilët dëshmojnë se pjesëmarrja do t’i ndihmojë me njohuri institucionit apo organizatës në të cilën ata punojnë. Pjesëmarrësit do të njoftohen paraprakisht për ndryshime eventuale në datat e mbajtjes së punëtorive.

Aplikacioni plotësohet online dhe duhet të përmbajë të gjitha dokumentet e mëposhtme:

1)    Formulari për aplikim i plotësuar online (webfaqja www.shkollaeuropiane.org);
2)    Rezyme profesionale – CV;
3)    Letër motivimi për pjesëmarrje (ju lutem specifikoni përvojat tuaja të mëparshme lidhur me temën, arsyet për t’ju bashkuar Shkollës si dhe mënyrat se si pjesëmarrja do të kontribuonte në zhvillimin tuaj të mëtejshëm);
4)    Letër rekomandimi e dedikuar për këtë shkollë (nënshkruar dhe e vulosur nga punëdhënësi).


 Afati i fundit për aplikim është 29 shtator 2017, ora 12:00
Vetëm kandidatët e përzgjedhur do të kontaktohen përmes email-it. Informata më të hollësishme mund të gjeni në webfaqen e Shkollës www.shkollaeuropiane.org ose çdo ditë pune prej orës 10:00-12:00 në tel. 038 248 - 636 ose përmes email adresës [email protected].                                                                              
 
Shënim: Pjesëmarrja në këtë Shkollë ofrohet pa pagesë dhe kandidatët e suksesshëm pajisen me certifikatë të pjesëmarrjes.


Përkrahur nga: