Shkolla për Integrim Europian me program të ri!

Integrimi në Bashkimin Europian (BE) është prioritet për qytetarët dhe Qeverinë e Kosovës dhe në këtë rrugëtim duhet të kontribuojnë të gjithë. Prandaj, në vitin 2005 është themeluar “Shkolla për Integrim Europian” (SHIE) me qëllim të ngritjes së kapaciteteve dhe informimin e drejtë të shoqërisë kosovare mbi Bashkimin Europian dhe procesin e integrimit europian të Kosovës.

Pas më shumë se 13 viteve ekzistencë, me 23 gjenerata të kaluara dhe me mbi 1100 pjesëmarrës, SHIE është ri-dizajnuar me një format të larmishëm në përputhje edhe me nevojat dhe kërkesat specifike të audiencës. 

Përmes këtij programi, qytetarët dhe OSHC-të kanë mundësi të rifreskojnë njohuritë, duke marrë pjesë në ndonjërin nga trajnimet apo ligjëratat e hapura, ku ekspertë të ndryshëm diskutojnë mbi sfidat dhe problemet e procesit të integrimit ose të bashkohen në punëtoritë tematike ku diskutohen tema specifike mbi politikat e përbashkëta sektoriale që preken nga marrëdhënia me BE-në.

Në formatin e ri, përgjatë një viti kalendarik, Shkolla për Integrim Europian do të organizojë një sërë aktivitetesh të cilat do të përfshijnë:

Trajnime një ditore: “BE në 1 ditë”

Përgjatë 1 dite, pjesëmarrësve nga sektorë  të ndryshëm  do t’i mundësohet ofrimi i informatave të përgjithshme për BE-në çka do të shërbejë si orientim, por edhe rifreskim i njohurive të përgjithshme mbi BE-në dhe institucionet e saj.

Ligjërata të hapura


Ligjëratat e hapura do të sjellin tek pjesëmarrësit një dimension më interesant në përputhje me zhvillimet më të fundit në procesin e integrimit europian. Këto ligjërata do të mbahen nga ligjërues të mirënjohur vendor dhe ndërkombëtar, ekspertë me zë në tema aktuale, të cilët do të sjellin këndvështrimet e tyre në lidhje me dinamikat apo çështjet aktuale të cilat prekin nga afër Kosovën.

Punëtoritë tematike

Punëtoritë tematike do të organizohen në grupe homogjene të cilat do të mbledhin pjesëmarrës të cilët janë të interesuar të adresojnë çështje specifike që kanë të bëjnë me politikat specifike që lidhen me prioritetet e agjendës së Integrimit Europian të Kosovës.  Punëtoritë do të udhëhiqen nga ekspertë vendorë, rajonal apo ndërkombëtarë varësisht prej temës së diskutimit.

Këto aktivitete do të mbahen nga personalitete dhe figura të shquara akademike, njohës të fushës, si dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare.

Njoftimi mbi specifikat e mëtejshme, si dhe kriteret e aplikimit do të komunikohen së bashku me thirrjet relevante për secilin prej aktiviteteve.


 

Info të shkurta

REGJISTROHUNI TANI!

 

TRAJNIM NJË DITOR - BE NË 1 DITË

 
Datë: 12 qershor 2018
Ora: 09:00 - 16:00
Vendi: Salla e Konferencave, KCSF
Adresa: Musa Tolaj, Qendra Nartel, Lam A, H1, Kat.12, nr. 65-1, Lakrishtë, Prishtinë


Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), përmes Shkollës për Integrim Europian, angazhohet të promovoj përmirësimin e njohurive dhe të ngrisë vetëdijen publike rreth funksionimit të Bashkimit Europian (BE) dhe procesit të integrimit europian të Kosovës.

Qëllimi kryesor i këtij trajnimi është që përgjatë një dite t’ju ofrojë informata të përgjithshme për BE-në, që do të shërbejnë si orientim për ngritje të mëtutjeshme të kapaciteteve në këtë fushë, për të krijuar një ide më të qartë për BE-në tek pjesëmarrësit dhe rifreskim të njohurive bazike mbi BE-në dhe institucionet e saj.

Përgjatë trajnimit me temë ‘’BE në 1 ditë’’ do të elaborohen çështje si: historiku i BE-së, integrimi europian dhe procesi i zgjerimit, institucionet e BE-së dhe vendimmarrja, strukturat e integrimit europian në Kosovë dhe roli i tyre, dhe politika e BE-së në raport me Kosovën.
 
Kush mund të marrë pjesë?
Të drejtë për pjesëmarrje kanë të gjithë qytetarët e moshës madhore që veprojnë në Kosovë, të cilët kanë interesim të zgjerojnë njohuritë e tyre në fushën e integrimit europian.
 
Regjistrimi
Regjistrimi është i obligueshëm dhe vendet janë të kufizuara. Përparësi do t’u jepet atyre që shprehin të parët interesimin për pjesëmarrje.

Të interesuarit duhet të regjistrohen on-line në linkun: https://www.surveymonkey.com/r/BE_ne_1dite
 
Sa kushton?
Trajnimi do të mbahet në gjuhën shqipe dhe ofrohet PA PAGESË për të gjithë pjesëmarrësit.
 
Çertifikimi
Me përfundimin e trajnimit pjesëmarrësit do të pajisen me çertifikatë të pjesëmarrjes ku dhe do të bëhen pjesë e rrjetit të Shkollës për Integrim Europian, të cilët rregullisht informohen rreth aktiviteteve të ndryshme dhe mundësive për avancim të mëtejshëm profesional dhe akademik.

Ligjëruese
Znj. Jehona Lushaku, njohëse e integrimeve europiane. Ka mbaruar studimet master për Integrime Europiane dhe aktualisht të doktoratës në Universitetin e Hanoverit, në Gjermani. Ligjëron në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës.
 
Afati i fundit për regjistrim është 31 maj 2018.