Diplomohet gjenerata e 23-të e Shkollës për Integrim Europian

U diplomua dje gjenerata e 23-të e Shkollës për Integrim Europian. Gjatë muajve të fundit, 22 të diplomuarit u përfshinë në katër punëtori mbi njohuri dhe dinamikat kyçe të rrugëtimit të Kosovës në proceset europiane.

Në kuadër të punëtorive të mbajtura, pjesëmarrësit u njohën nga afër me Bashkimin Europian, historikun e zhvillimit, strukturat dhe vendimmarrjen, si dhe institucionet dhe perspektivën e BE-së drejt së ardhmes.

Gjithashtu, u trajtuan parimet e së drejtës së BE-së dhe raporti i saj me atë të shteteve anëtare, duke përfshirë shembuj të vendimeve nga jurisprudenca e Gjykatës Europiane të Drejtësisë, me fokus të veçantë në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Zhvillime dhe sfida aktuale për Kosovën në përpjekjet e saj të afrimit me Bashkimin Europian ishin pjesë e punëtorive, duke përfshirë edhe çështje si Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit apo liberalizimi i vizave.

Tetë ligjërues, akademikë dhe ekspertë të çështjeve të ndryshme të BE-së, punuan aktivisht me pjesëmarrësit në përcjelljen e njohurive konkrete për zyrtarë të administratës publike, anëtarë të shoqërisë civile, përfaqësues të medias dhe të sferave të tjera.

Deri më sot, rreth 1100 pjesëmarrës janë diplomuar nga Shkolla për Integrim Europian përmes programit të saj të larmishëm dhe dinamik.

Qëllimi kryesor i Shkollës është përgatitja dhe aftësimi i profesionistëve dhe veprimtarëve me ndikim në sfidat e Kosovës në rrugëtimin e saj europian.

Ky qëllim përmbushet duke ngritur nivelin e njohurisë dhe vetëdijes ndër pjesëmarrësit në çështjet dhe politikat europiane, rrjedhimisht duke i mundësuar që njohuritë e fituara t’i transferojnë dhe përdorin në punën e tyre.

Flasin të diplomuarit:

Shpresa Musliu, e diplomuar në Shkollën për Integrim Europian, tha se ky program është një mundësi e mirë për të gjithë studentët dhe të punësuarit në institucione publike dhe private që të mësojnë me gjerësisht rreth BE-së dhe njohuritë e tilla t'i aplikojnë në praktikë. Sipas Musliut, diçka e tillë u çel rrugën atyre ata drejt mundësive të reja për aftësim të mëtejmë në rrugëtimin profesional.

“Konsideroj që secili prej nesh, në këtë fazë të procesit të rrugëtimit të vendit tonë drejt BE-së, duhet të jemi të informuar për Bashkimin Evropian, institucionet dhe funksionin e tyre, vendimmarrjen, si edhe përfitimet ekonomike dhe politike”, tha ajo.

Ardian Nikolla, tha se pjesëmarrja në punëtoritë e Shkollës kishte pasur një impakt të madh në njohuritë dhe kuptimin e tij mbi BE-në. “Informacionet e absorbuara nga të gjitha punëtoritë do të kenë rëndësi të madhe në angazhimet e mia profesionale”, tha Nikolla.

“Pas tetë ligjëratave në Shkollën për Integrim Europian. kam kuptuar se sa pak kam ditur për Bashkimin Europian”, tha e diplomuara tjetër, Njomza Salihi. Ajo shtoi se tani është e vetëdijshme që bëhet fjalë për një institucion kompleks që përfshin shumë fusha, i cili ndër vite ka evoluar shumë.

“Pas ndjekjes së moduleve në Shkollën për Integrime Europiane, i kam saktësisht të qarta detyrat dhe fushëveprimet e secilit institucion brenda BE-së”, tha Salihi.

 

Info të shkurta

REGJISTROHUNI TANI!

 

TRAJNIM NJË DITOR - BE NË 1 DITË

 
Datë: 12 qershor 2018
Ora: 09:00 - 16:00
Vendi: Salla e Konferencave, KCSF
Adresa: Musa Tolaj, Qendra Nartel, Lam A, H1, Kat.12, nr. 65-1, Lakrishtë, Prishtinë


Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), përmes Shkollës për Integrim Europian, angazhohet të promovoj përmirësimin e njohurive dhe të ngrisë vetëdijen publike rreth funksionimit të Bashkimit Europian (BE) dhe procesit të integrimit europian të Kosovës.

Qëllimi kryesor i këtij trajnimi është që përgjatë një dite t’ju ofrojë informata të përgjithshme për BE-në, që do të shërbejnë si orientim për ngritje të mëtutjeshme të kapaciteteve në këtë fushë, për të krijuar një ide më të qartë për BE-në tek pjesëmarrësit dhe rifreskim të njohurive bazike mbi BE-në dhe institucionet e saj.

Përgjatë trajnimit me temë ‘’BE në 1 ditë’’ do të elaborohen çështje si: historiku i BE-së, integrimi europian dhe procesi i zgjerimit, institucionet e BE-së dhe vendimmarrja, strukturat e integrimit europian në Kosovë dhe roli i tyre, dhe politika e BE-së në raport me Kosovën.
 
Kush mund të marrë pjesë?
Të drejtë për pjesëmarrje kanë të gjithë qytetarët e moshës madhore që veprojnë në Kosovë, të cilët kanë interesim të zgjerojnë njohuritë e tyre në fushën e integrimit europian.
 
Regjistrimi
Regjistrimi është i obligueshëm dhe vendet janë të kufizuara. Përparësi do t’u jepet atyre që shprehin të parët interesimin për pjesëmarrje.

Të interesuarit duhet të regjistrohen on-line në linkun: https://www.surveymonkey.com/r/BE_ne_1dite
 
Sa kushton?
Trajnimi do të mbahet në gjuhën shqipe dhe ofrohet PA PAGESË për të gjithë pjesëmarrësit.
 
Çertifikimi
Me përfundimin e trajnimit pjesëmarrësit do të pajisen me çertifikatë të pjesëmarrjes ku dhe do të bëhen pjesë e rrjetit të Shkollës për Integrim Europian, të cilët rregullisht informohen rreth aktiviteteve të ndryshme dhe mundësive për avancim të mëtejshëm profesional dhe akademik.

Ligjëruese
Znj. Jehona Lushaku, njohëse e integrimeve europiane. Ka mbaruar studimet master për Integrime Europiane dhe aktualisht të doktoratës në Universitetin e Hanoverit, në Gjermani. Ligjëron në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës.
 
Afati i fundit për regjistrim është 31 maj 2018.